Argëtim me macen e tij të hirtë, aktivitete e lojëra të ndryshme me motrën më të vogël, bashkë-bisedim me shokët e shoqet e klasës në distancë, por pa lënë anash as mësimin online si nxënës i klasës së katërt, është mënyra se si Ron Sejdiu nga Fushë-Kosova po i kalonte ditët e pandemisë në shtëpinë e tij.
Periudhën e karantinimit, jo me lehtësi por me aktivitete të shumta i kaluan Roni, Blinera e Eldini. Që të tre fëmijë me aftësi të kufizuara.
Në një bashkëbisedim online, ata na rrëfyen për kohën e tyre të mbyllur, aktivitet me të cilat merreshin dhe atë se çka po i argëtonte ata më së shumti nga kjo situatë sfiduese për botën.
Ron Sejdiu, 12-vjeçar tregon se bashkë me motrën e tij kaluan kohë mjaft relaksuese me macen ngjyrë hiri që tash së fundmi e kanë marrë në shtëpi.
Roni ndjek mësimet në klasën e katërt, por që në këtë kohë sikurse gjithë fëmijët e tjerë, është i detyruar që të aplikojë mësimin në distancë përmes Radiotelevizionit të Kosovës dhe platformave të tjera online.
‘’ Mirë po kaloj. Zakonisht po bëj detyra në shtëpi. Po mësoj. Mësimet po i ndjeki përmes televizionit. Mirë po më duket të mësuarit prej shtëpisë. Po ashtu po merrem me aktivitete si lexim, pikturim’’, na rrëfen Roni.
Megjithatë ai shprehej i përmalluar për shokët e shoqet dhe mezi priste që t’i shihte së shpejti.
Në fund Roni dha një mesazh të lezetshëm dhe shumë të rëndësishem për fëmijët.
‘’Kisha dasht që fëmijët me u kujdes më shumë për veten dhe për familjen e vet. Sa më shumë kujdes, aq më shumë shëndet’’.
Me aktivitete të ngjashme, edhe Blerina Krasniqi nga fshati Grashticë e Prishtinës po mundohej t’ia lehtësonte vetes të qëndruarit në shtëpi. Të vizatuarit është gjëja që e bën me më së shumti dëshirë.
‘’Në këtë kohë po kaloja më shumë kohë me prindërit. Unë po bëj ushtrime dhe aktivitete të tjera. Po vizatoj, po lexoj. Po i bëj detyrat. Mësimet po i ndjek prej televizionit… Më së shumti më pëlqen me vizatu.’’, na thotë Blerina.
Mesazhi i Blerinës është që të gjithë fëmijët të vazhdojnë të rrinë në shtëpi e të kujdesen për veten.
Kurse Eldin Gashin, 15-vjeçar nga Prishtina, nuk e ndalon asgjë që të merret me sportin e tij të preferuar, fitnesin. Ai brenda shtëpisë ka disa pajisje me të cilat për gjysmë ore në ditë po ushtron dhe po mban veten e tij në gjendje të mirë fizike dhe psikologjike.
Anën pozitive të të qëndruarit brenda, Eldini e sheh familjen e tij. Në oborrin e shtëpisë, bashkë me familjarët dalin ndonjëherë dhe luajnë volejboll. Kurse një pjesë të kohës e kalojnë bashkërisht duke zhvilluar ndonjë aktivitet, po ashtu të përbashkët.
Megjithatë, mbyllja 24 orëshe i duket gjë e mundimshme për fëmijët.
‘’ Kjo periudhë e të qëndruarit në shtëpi po më duket jo shumë e përshtatshme për neve fëmijëve. Sepse po na shkakton stres dhe po bëhemi ndoshta më agresivë. Megjithatë, e kemi detyrë të rrijmë brenda për shkak të sigurisë.’’
Eldini as mësimet nuk po i lën anash, ato po i ndjekë në RTK, si dhe në platformën Zoom.
Ai përmendi edhe situatën e fëmijëve me aftësi të kufizuara në Kosovë dhe diskriminimit që u bëhen në shumë fusha, duke bërë thirrje për reflektim sidomos në këtë kohë pandemie.
‘’Për fund, ata të mundohen që ta kalojnë këtë periudhë sa më mirë, me nejt me familjarët e vet edhe mos me u shqetësu për virusin’’, është mesazhi i Eldinit.
Kjo situate pa dyshim na bëri që të gjithëve të barabartë. Të pasurin, të varfërin, të punësuarin, atë të pa punë, të rriturit, fëmijët e të moshuarit. Pa dallim. Por mbi të gjitha na bëri që të provojmë ndjenjën e izolimit që shumë persona me aftësi të kufizuara mund ta kenë gjatë tërë kohës së jetës së tyre.
Çdo njeri ka të drejtën e të qenurit dhe të lëvizuarit të lirë. Të gjithë jemi pjesë e kësaj shoqërie dhe me të drejta të barabarta. Andaj ta respektojmë dhe ta mundësojmë atë për të gjithë.