Sot është lansuar kampanja ‘Pa asistent unë jam jashtë shkollës’, e implementuar prej grupit avokues të fëmijëve me aftësi të kufizuara ‘’Hëna’’ dhe e mbështetur nga Save the Children në Kosovë, e cila për qëllim ka ndërgjegjësimin por edhe lobimin ndaj insitucioneve që secili nxënës me aftësi të kufizuar duhet të ketë mbështetjen e asistentit në shkollë.
Situata me pandeminë e ka rënduar edhe më tepër përfshirjen e tyre në mësim, me sfida të shumta të cilat në kuadër të kampanjës janë identifikuar gjatë takimeve me prindër, siç janë: mos arritja e objektivave të planit individual të fëmijës në mungesë të një mbështetjeje individuale për fëmijën, rënia e motivimit, mos ndjekja e mësimit online për shkak të natyrës grupore të zhvillimit të mësimeve si dhe regres në arritjet mësimore pikërisht për shkak të arsyeve të mësipërme.
Aktualisht, në tërë Kosovën janë të punësuar 100 asistentë, numër ky dukshëm i ulët në raport me nevojat e fëmijëve me aftësi të kufizuara në vend. Me qëllim të zgjidhjes së sfidave të identifikuara, përfaqesues të grupit janë takuar me ministren e Arsimit, znj. Arbërie Nagavci, ku kanë kuptuar se planet e ministrisë në katër vitet e ardhshme janë që të punësohen edhe 400 asistentë të tjerë.
Po ashtu, lidhur me këtë qëllim, janë zhvilluar takime edhe me Drejtoritë Komunale të Arsimit në katër komunat target: Prishtinë, Ferizaj, Gjakovë e Mitrovicë.
Ndërkaq, për të theksuar më shumë rëndësinë e asistentit, grupi ‘’Hëna’’ ka realizuar një video ndërgjegjësuese me prindër të fëmijëve me aftësi të kufizuara, linkun e së cilës mund ta gjeni më poshtë:
https://www.facebook.com/362362497178714/videos/703689943908367
Grupi Avokues i Fëmijëve me Aftësi të Kufizuara “Hëna” është grup jo formal i themeluar më 2017 nga HANDIKOS , me mbështetje të Save the Children në Kosovë, që mision ka garantimin dhe respektimin e të drejtave të fëmijëve me aftësi të kufizuara.